Home 10 Lajme 10 Kosovë 10 Grenell përfundon takimet me liderët partiakë – largohet nga Ambasada Amerikane

Grenell përfundon takimet me liderët partiakë – largohet nga Ambasada Amerikane

Please follow and like us:

16:37, 9 Tetor 2019

I Dërguari Special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, i ka përfunduar takimet me të gjithë liderët partiakë në Kosovë.

Fillimisht, ai e ka takuar liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin – i cili sipas rezultateve të deritanishme zyrtare del se është fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit.

Pas Kurtit, emisari i Donald Trumpit e ka takuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe kandidaten e këtij subjekti për kryeministre, Vjosa Osmanin.

Grenell takime të ngjashme ka pasë edhe me dy liderët e tjerë partiakë – Kadri Veselin e PDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

Por, pas asnjërit nga këto takime të njëpasnjëshme të zyrtarit të lartë amerikan, në objektin e Ambasadës Amerikane në Kosovë, me liderët kosovarë nuk pati prononcime për media – nga asnjëra palë.

Ambasadori Richard Grenell tashmë është larguar nga objekti i Ambasadës Amerikane, njofton Klan Kosova.

Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, para se t’i takonte veç e veç gjithë liderët e partive politike në Kosovë, e ka takuar presidentin e vendit Hashim Thaçin.

As pas këtij takimi nuk pati prononcime për media, por më pas Presidenca e ka lëshuar një komunikatë për media.

Aty thuhet se Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Grenell ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve, njofton Klan Kosova.

Në komunikatën e presidencës thuhet po ashtu se Thaçi e ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, ka deklaruar Thaçi duke shtuar se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”.

I pari i vendit ka thënë se Kosova do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit, ndërsa ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Loading...
Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial

Like Faqen Informohu24.com